Dinjiteti përpara spektaklit: Respektoni kufijtë e tjetrit

Jam menduar shumë gjatë përpara se të bëj këtë shkrim. Nuk dua të përdor më emra konkretë, më duket kaq e turpshme të shoh se si përdhoset emri dhe figura e dikujt në emër të “mirësisë” publike dhe përmbushjes së kënaqësive apo përfytyrimeve individuale të dikujt apo disa personave a turmës aty jashtë.

Nuk është cështje kurioziteti publik se çfarë rrethanash e çuan një person të jetojë jetën që ai bën dhe nuk më duket ama normale që ne (“bamirësit” publikë) të zgjedhim për të dhe t’i diktojmë jetën e re.  

Një person që mund të vuajë nga çrregullime të shëndetit mendor duhet të trajtohet me shumë kujdes, sensibilitet dhe përkushtim nga specialistët e shëndetit mendor. Mënyra se si u trajtua kjo çështje është e frikshme, po aq e frikshme histeria kolektive në media, pa pasur një minimum etike në trajtimin e dikujt me dinjitet, qoftë edhe në mjerimin e tij emocional, në pikën më të ulët të jetës së tij.

Më vjen kaq keq dhe kam një revoltë të brendshme kur shoh video e video pa fund, “argëtime”, seria e re me historinë e rastit dhe me ndarje online të çikërrimave e detajesh të një njeriu që ka nevojë të dukshme për ndihmë e që mbase nuk e kupton mjaftueshëm dhe përmasat e asaj çfarë po ndodh.

Unë nuk vë dhe as nuk pretendoj të vë diagnoza nga larg,por domosdoshmëria për ndihmë dhe asistencë psikiatrike/psikologjike është e qartë dhe e dukshme. 

Në shumë raste, duhet verifikuar fakti nëse personi është I vetëdijshëm dhe I aftë të vendosë ose jo mbi veten e tij. Në këto raste është ekspertiza psikiatrike ajo që e vendos dhe nëse duhet edhe një mbështetje ligjore në këtë rast. Nuk mund të bëhet një person me një shqetësim emocional , nje marionetë që ne e lyejmë veshin e stisim sipas dëshirës dhe e shfaqim para publikut sipas orës të “show-t!

Sa turp, sa dhimbje e sa mjerim kam ndjerë këto ditë!!!!

Nëse keni pak respekt e ndjeshmëri njerëzore, lëreni me kaq. Jepini asaj si dhuratë qetësinë që shpirti I saj I trazuar meriton. Ndihmojeni duke e bërë në heshtje, jepini aksesin tek profesionistët dhe qëndroni shpirtërisht (e nëse doni dhe materialisht) pranë saj pranë një rrugëtimi që për të mbase do të jetë I gjatë (e jo brenda ditës) për të rigjetur veten. 

Mos u nxitoni t’a nxirrni kudo e të bëni të këndojë, nuk mund të këndojë dikush kur I dhemb shpirti. Hajdeni, ju lutem me këmbë në tokë dhe jini të mëshirshëm në “dashamirësinë e bamirësinë” tuaj. 

Mos u bëni hero, aty ku heroizmi juaj nuk bën punë. Jini të përulur dhe bëni aq sa mundeni duke njohur kufijtë tuaj dhe respektuar sidomos ato të tjetrit!

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *