cPTSD: Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik Kompleks (CPTSD)

Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik Kompleks (cPTSD): Një Udhëzues i shkurtër.

Çfarë është CPTSD?
Çrregullimi i stresit post-traumatik kompleks (CPTSD) është një crregullim kompleks mendor dhe i sjelljes që lind si rezultat i ekspozimit te zgjatur ose te përsëritur ndaj një sërë ngjarjesh traumatike, nga të cilat personi sheh pak ose aspak mundësi për t’u shpëtuar. Trauma kronike mund të përfshijë abuzim fizik, emocional ose seksual në fëmijëri, dhunë në familje, robëri, trafikim njerëzor, apo situata të tjera të cilat shkaktojnë stres ekstrem dhe të vazhdueshëm.

Ndryshe nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), CPTSD është rezultat i ekspozimit të zgjatur dhe perserites ndaj traumës dhe ka simptoma më të ndërlikuara që prekin aspekte të shumta të jetës.


Simptomat kryesore të CPTSD

Simptomat e CPTSD janë të ngjashme me ato të PTSD-së, por përfshijnë elemente shtesë që ndikojnë në rregullimin emocional, identitetin dhe funksionimin ndërpersonal të individit. Simptomat kryesore përfshijnë:

1. Simptomat tradicionale të PTSD.(Traumatrias-3 simptomat )

  1. Rikujtime të dhimbshme (intrusione, flashback-e, makthe): Përjetimi i përsëritur i traumës përmes kujtimeve të pakontrollueshme apo ndjesisë sikur trauma po ndodh përsëri.

2.Gjendje alarmi dhe hipervigjilencë: Ndjenja e përhershme e kërcënimit dhe alarmit apo reagime të trupit ndaj stimujve të jashtëm edhe kur nuk ka me nje kercenim real.

3.Shmangia e kujtimeve dhe ndjenjave: Individët me CPTSD shmangin situatat, vendet dhe personat që u kujtojnë traumën.

  • Shpesh, ndryshime në humor dhe mendime: Përjetimi i mendimeve negative për veten dhe botën, ndjenja e fajit dhe turpit.

2. Vështirësi në rregullimin e emocioneve

Personat me CPTSD kanë vështirësi të mëdha në përpunimin dhe rregullimin e emocioneve. Kjo mund të shfaqet në formën e:

  • Zemërimit të papritur dhe shpërthimeve emocionale.
  • Ndjenjës së thellë të turpit dhe fajit kronik.
  • Episodave të mpirjes emocionale, ku individi nuk arrin të ndiejë emocione të caktuara.

3. Ndryshime në ndjenjën e identitetit

  • Ndjenja e padenjësisë dhe mungesa e vetëbesimit.
  • Perceptimi i vetes si i/e dëmtuar ose i/e pavlefshëm/e.
  • Ndjenja e izolimit dhe ndarja nga të tjerët për shkak të bindjes se askush nuk do ta kuptonte përvojën e tyre.

4. Probleme në marrëdhëniet ndërpersonale

  • Vështirësi për të besuar të tjerët.
  • Frikë nga intimiteti emocional e fizik ose, përkundrazi, varësi emocionale e tepruar.
  • Rikrijimi i dinamikave toksike (te pashendetshme) në marrëdhënie si rezultat i traumës së kaluar, etj.
  • Te tjera:
  • Ndryshime te tjera: siç janë amnezia ose kujtimi i i ngjarjeve traumatike, episode të disociimit, depersonalizimi/derealizimi dhe përjetimi i përsëritur i përvojave (qoftë në formën e simptomave intruzive të PTSD-së ose në përfshirje të vazhdueshme me mendime te perseritura.
  • Somatizimi etj.

5. Humbja e ndjenjës së qëllimit ose shpresës

Shumë njerëz me CPTSD përjetojnë një ndjenjë boshllëku dhe mungesë kuptimi për jetën e tyre. Kjo shpesh lidhet me depresionin bashkeshoqerues dhe ndjenjën e vazhdueshme te dëshpërimit.


Shkaqet dhe Faktorët e Rrezikut

CPTSD zhvillohet zakonisht si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm ndaj situatave traumatike, të cilat mund të përfshijnë:

  • Abuzimi kronik në fëmijëri (fizik, emocional, seksual, apo neglizhim i nevojave emocionale te individit).
  • Dhunë në marrëdhënie apo familje, veçanërisht në marrëdhënie ku personi nuk ka patur mundësi të largohet.
  • Robëri, trafikim njerëzor, ose jetë në kushte ekstreme të shtypjes dhe dhunës.
  • Jeta në zona lufte ose si refugjat me trauma të vazhdueshme etj.

Faktorët që mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të CPTSD përfshijnë:

  • Fillimi i hershëm i traumës (p.sh., gjatë fëmijërisë).
  • Mungesa e mbështetjes emocionale dhe sociale.
  • Përvoja të përsëritura të braktisjes ose refuzimit.
  • Faktorë gjenetikë dhe neurobiologjikë që mund të ndikojnë në rregullimin e stresit dhe emocioneve.

Si Trajtohet CPTSD?

Trajtimi i CPTSD zakonisht kërkon një qasje të kombinuar që përfshin terapi psikologjike, mbështetje sociale dhe, në disa raste, trajtim farmakologjik.

1. Terapia psikologjike

Terapia psikoterapeutike e traumes është metoda kryesore e trajtimit dhe përfshin teknika te ndryshme, si:

  • Terapia e Përpunimit Kognitiv (CPT) dhe Terapia kognitive e sjelljes and trauma-focused CBT– ndihmon mbi te gjitha individët të sfidojnë dhe ndryshojnë mendimet e shtrembëruara që lidhen me traumën.
  • Terapia e Ekspozimit të Zgjatur (PE) – përballja graduale me kujtimet traumatike për të zvogëluar fuqinë e tyre emocionale.
  • Desensibilizimi dhe Përpunimi i kujtimeve përmes lëvizjeve të syve. (EMDR) – ndihmon në përpunimin e kujtimeve të dhimbshme dhe lehtesimin e simptomave intrusive.
  • Terapia Dialektike e Sjelljes (DBT) – veçanërisht efektive për rregullimin emocional dhe menaxhimin e marrëdhënieve.
  • Ka dhe teknika te tjera qe do i sqaroj me specifikisht ne nje artikull tjeter. (psh.Terapie e ekspozimit narrativ: Narrative exposure therapy (NET))

2. Mjekimi

Edhe pse nuk ka një mjekim specifik për CPTSD, mjekët psikiater shpesh përdorin:

  • Antidepresivët (pergjithesisht SSRI, SNRI) për të ndihmuar në menaxhimin e simptomave depresionit dhe ankthit.
  • Medikamente te tjera stabilizuese të humorit në rastet ku individi përjeton luhatje të mëdha emocionale, simptoma te renda deri ne kufi te psikozes apo ka mendime mbi vetevrasjen.

3. Mbështetja sociale dhe vetëkujdesi

Përveç terapisë dhe mjekimit, mbështetja nga miqtë dhe familja është jetike për shërimin. Aktivitetet si meditimi,Mindfulness, ushtrimet fizike dhe teknikat e relaksimit ndihmojnë në menaxhimin e simptomave.


Si të mbështesni dikë me CPTSD?

  • Bëhuni të durueshëm dhe të mirëkuptueshëm – CPTSD është një çrregullim kompleks dhe kërkon kohë për t’u shëruar.
  • Dëgjoni pa gjykuar – Njerëzit me CPTSD shpesh ndihen të keqkuptuar. Ofrojuni hapësirë për të folur.
  • Mos e minimizoni përvojën e tyre – Shprehje si “harroje atë që ka ndodhur” nuk ndihmojnë, përkundrazi, mund ta përkeqësojnë gjendjen.
  • Mbështetini në kërkimin e ndihmës profesionale – Terapia mund të jetë thelbësore në shërimin e tyre.

CPTSD është një gjendje e vështire dhe sfiduese, por trajtimi dhe mbështetja e duhur mund të ndihmojnë individët të rindërtojnë jetën e tyre dhe të gjejnë një ndjenjë stabiliteti dhe shprese. Nëse ju ose dikush që njihni po përballet me këtë çrregullim, kërkimi i ndihmës nga një profesionist i shëndetit mendor është hapi i parë drejt shërimit.

Ndiq ne Instagram dhe TikTok apo Youtube: @euroalbanianpsychiatry.

E juaja, Dr. Dorina

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *